Lem t’pikëllohna qysh t’du

AUTOR: Bind Skeja

A ka diçka më të dhimbshme sesa vdekja e një personi të afërm?!

Koftë e pritur apo e pa pritur, vështirë është me u përgatitë për rrënimin emocional që e përjeton. Pa mrri me u nal e me mendu, fillojnë traditat e varrimit dhe t’pameve, çdo hap ni problem tjetër që duhet me e zgjidhë deri sa je duke vajtu. Për një kohë që të duket se kalon njëkohësisht shumë shpejt edhe shumë gjatë e gjen vetën në ditën e varrimit, ku për dikon për herë të parë fillon ballafaqimi me realitetin. Pas varrimit pasojnë disa ditë të vajtimit kolektiv dhe kallximit t’respektit, të njohura si “t’pame”, që kanë kohëzgjatje të ndryshme varësisht prej rajonit ku gjendesh. Kur kryhen edhe këto, atëherë koha e vajtimit përfundon – kthehemi në përditshmëri.

Zakonet që i kemi për varrim dhe të pamet e shoqëruara janë të ndërtuara me dy qëllime në mendje (të paktën, këtë arsye e japim): me e respektu të vdekurin, e mos me e lon familjen t’vetmume duke mendu shumë për personin e vdekur. Ideja është me e lehtësu dhembjen e pikëllimit që e ndjejnë, duke i hutuar me kërkesat e traditave të ditës. Kur hyn mysafiri niherë ja qon tabakun me llokuma, masnej ato me pije; maspari i folet ma të vjetrit, masnej vazhdon te tjerët; n’krye të tavolinës ulet personi që ka qenë ma afër të vdekurit, etj. Qëllimin e arrijnë me sukses—bohet problem me mendu për të afërmin që ka ndërruar jetë kur je tu u kujtu çdo dy minuta me cilën dorë u qitke çaji. Kur e thu në këtë mënyrë duket se koha për pikëllim – për vuajtje – është e paktë. Natyrisht nuk janë të gjitha vendet e njëjta, varësisht prej katunit ndrrojnë zakonet—për çka folin, sa ditë t’pame ka, etj. Esenca është që k’to procedura janë të strukturume, disa deri në detajet më të vogla.

Kur ka strukturë të tillë ka edhe pritshmëri, shpeshherë që ndahen në formë të këshillave me qëllime të mira: “mos kaj shumë”, “kaj pak ma shumë”, “herave tjera nisja prej t’vjetrit maspari” – instruksione për qysh me vujt! Krejt k’to bohen deri sa je tu i shërby apo tu i pritë mysafirt, gjatë t’pameve, gjithashtu, je i ndarë prej gjysës të familjes përderisa gratë shkojnë me e bo vuajtjen e tyne larg burrave. Përfundimisht, është vështirë për familjen me dalë pas këtyre zakoneve më e qetë – streset shtohen, e koha e tyre për me procesu çka ka ndodhë është shumë e limitume. Në dëshirën tonë për ta përkrahur familjen, gabimisht i kemi ngarku si mikpritës, e tu mendu që po bojmë mirë tu i hutu veq se është shtu distresi emocional. Natyrisht, është shumë “shqiptare” që të presim që shtypja apo kontrollimi i emocioneve me qenë zgjidhje.

Duhet të kujtohem se çdo person e përjeton dhe e proceson ndryshe tragjedinë, pikëllimin e vajtimin (njëjtë si emocionet pozitive). Ndodhë që për dikon k’to zakonet tona janë ilaqi i dhimtës së tyre, ndodhë që për dikon tjetër veq e përkeqësojnë gjendjen. Të themi se njëri lloj i procesimit është më i mirë se tjetri, në një shtet ku çdo familje i ka zakonet e veta, është absurde. Të themi se nuk mund t’i nd’rrojmë është edhe ma rëndë – deri vonë gratë nuk janë leju të vijnë në varrim, po edhe kjo u ndrru me kalimin e kohës.

Çdo mënyrë e procesimit të emocioneve është valide, kushti i vetëm është që ato përnime të procesohen. Nëse nuk t’përshtaten zakonet shqiptare ka mundësi të plota për me zgjedhë prej vendeve tjera: Në New Orleans mbajnë Varrime Jazz ku festohet jeta e personit pas vdekjes; Në Suedi varrimet zakonisht janë shumë private ku veq familja e afërt ftohet të jetë prezente. Krejt kjo veq e përforcon kuptimin e vuajtjes si diçka jashtëzakonisht personale, e si e tillë kemi të drejtë t’i bojmë vendimet tona për qysh dojmë me e përjetu. E njëjta vlen edhe për të afërmit tjerë – askush nuk mundet me jau drejtu dhembjen pa aprovimin tuaj. Çka mbetët është që vendimet tona të respektohen – në fund të fundit veq na e dijmë çka na vyn, e veq personat më të afërt munden me vendos se si dëshirojnë ta respektojnë të vdekurin. Dikush i është marrë familjes dhe shoqërisë, sendi më i paktë që mundem me bo është mos me ia marrë mundësinë për të zgjedhë se si ballafaqohen me atë fakt.

Add a Comment

Your email address will not be published.