Eksplorimi i Lidhjes së Shëndetit Mendor dhe Papunësisë

AUTORE: Agnesa Kadriaj

Punësimi konsiderohet indikator i mirëqenies së përgjithshme në aspektin ekonomik, social dhe padyshim atë psikologjik. Duke pasur parasysh që puna është gjeneratori i burimeve financiare nga të cilat të ardhura përcaktohet plotësimi i shumë nevojave personale, në këtë artikull do shtjellojmë se si ndikon papunësia në shëndetin mendor të individëve dhe si qëndron ajo në aspektin gjinor.

Statistikat e fundit nga Eurostat për muajin shtator 2021 tregojnë se 14.324 milionë individë janë të papunë në Evropë. Kurse, në Kosovë, papunësia është ndër problemet themelore. Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës pohojnë që shkalla e papunësisë për vitin 2020 ishte 25.9 % . Kjo përqindje natyrisht që është shqetësuese, pasi që ka dallime shumë të pakta edhe me vitet paraprake, ku për vitin 2019 përqindja ishte 25.7% dhe 29.6 % për vitin 2018.

Bazuar në të dhënat e prezantuara më lartë, mund të themi që papunësia në Kosovë ka pasur një prezencë të vazhdueshme tek një përqindje e konsiderueshme e individëve. Prezenca e saj, pavarësisht që ka mundur të ndikojë në anën financiare dhe në shumë anë të tjera, ne do të ndalemi te ndikimi i saj në shëndetin mendor në përgjithësi.

Fondacioni i dytë më i madh në Mbretërinë e Bashkuar mbi shëndetin mendor, The Health Foundation, në një publikim të tij thotë që janë disa mënyra se si ndikon papunësia në shëndetin mendor. Fillimisht, papunësia përcillet me stres dhe ulje të vetëvlerësimit. Tutje, të qenit i/e papunë ngërthen në vete shumë pasiguri financiare dhe kushtet në të cilat kërkohet punësimi dëmtojnë shëndetin mendor.

Për më tepër, sipas të gjeturave të një studimi, del që efekti i papunësisë në shëndetin mendor shprehet me ndjenjën e pafuqisë tek individët duke krijuar ndjenja dëshpërimi gjatë kërkimit të punës. Kurse, ballafaqimi i shpeshtë me papunësinë përgjatë jetës së individëve, ka pasoja afatgjata në shëndetin mendor.

Megjithatë, ky ndikim ka një dallim në aspektin gjinor. Sipas një hulumtimi të realizuar në vitin 2004, papunësia thuhet të prek më shumë shëndetin mendor të individëve që i përkasin gjinisë mashkullore sesa të gjinisë femërore dhe këto dallime lidhen edhe me përgjegjësitë familjare dhe klasën shoqërore.

Për më tepër, hapësira dalluese e ndikimit të papunësisë në shëndetin mendor tek të dy gjinitë varet edhe nga situata e përgjithshme e barazisë gjinore të një vendi. Nëse gratë rriten në një sistem patriarkal ku inkurajohen të merren me punë të shtëpisë, atëherë nevoja e tyre ekonomike dhe psiko-sociale për punë është më e ulët. Kjo rrjedhimisht përcillet edhe me pak ndikim të papunësisë në shëndetin mendor të tyre në krahasim me burrat.

Një shembull i këtij sistemi patriarkal vazhdon ta karakterizojë ende Kosovën, por përderisa nuk ka studime konkrete mbi temën në fjalë në vendin tonë, nuk mund të thuhet asgjë signifikante.

Sidoqoftë, punësimi luan një rol të rëndësishëm tek individët dhe në mirëqenien e tyre mendore. Sipas disa të dhënave, kalimi nga papunësia në punësim rrit përmirësimin e mirëqenies mendore te individët.

Andaj, duke shpresuar për më të mirën, si përfundim, mund të themi që ekziston një lidhshmëri mes papunësisë dhe shëndetit mendor e cila meriton të studiohet tutje në vendin tonë i cili vazhdon të ketë nivelin e punësimit mjaft të pakënaqshëm.

Add a Comment

Your email address will not be published.