Shëndeti Mendor dhe Kultura: Individi, Proceset Kulturore dhe Psikoterapia

AUTORE: Greta Ibrahimi

Nëse pranojmë se për njeriun ndjenja e mirëqenies rrjedhë nga shkalla në të cilën ai përmbush nevojat e tij bazike dhe punon në mënyrë aktive për përmirësimin e kushteve të jetesës, atëherë si produkt i zhvillimit të tij social, mund të pohojmë pa shumë rrezik gabimi se duhet të ketë një marrëdhënie intensive midis plotësimit të nevojave njerëzore dhe mirëqenies sociale, me veçoritë e mjedisit të përgjithshëm në të cilin gjendet.

Koncepti “person” nuk i referohet drejtpërdrejt vetes të përcaktuar si lokusi i vetëdijes, introspeksionit dhe imagjinatës, por edhe ndërtimit kulturor të personit si entitet social, së bashku me nocionet e tij morale dhe juridike. Kultura lind nga një rrjet kompleks, dinamik reagimesh nëpërmjet të cilave vlerat, besimet dhe normat e sjelljes modifikohen vazhdimisht, duke kontribuar në interpretimin e përvojave të anëtarëve të saj.

Duke konsideruar faktin se kultura përfshin edhe mënyrën se si perceptohet realiteti brenda kontekstit social, është e qartë se ideologjitë lëvizin në trajtë të barabartë përmes besimeve fetare, prirjeve filozofike dhe rrymave të mendimit shoqëror. Aspekte sjellore si autoritarizmi brenda familjes dhe qëndrime të tjera të padrejta të konstruktuara nga shoqëria, të tilla si bindja e verbër e imponuar në marrëdhënie të caktuara pushteti, ose modelet e ekspozuara nga mediat e komunikimit masiv që adoleshentët ndjekin, gjithashtu mund të kushtëzojnë shëndetin mendor, për shkak të kufizimit në sjellje që mund të favorizojnë evolucionin e një çrregullimi potencial.

Është thelbësore të theksohet se mënyra magjike e konceptimit të çrregullimeve vazhdon edhe sot në mesin e popullatës, pavarësisht nga sfondi i tyre kulturor, por veçanërisht tek ata me një nivel arsimor relativisht të ulët dhe që kanë më pak qasje në njohuritë universale. Besimet popullore për “syrin e keq”, “magjinë”, “mallkimet” dhe shumë entitete të tjera të të njëjtit stil, të përdorura për të shpjeguar çrregullimet, sindromat, ose gjendjet patologjike të karakteristikave të caktuara, si dhe nxitja e rrethanave të rastësisë dhe fatit, të favorshme ose të pafavorshme, bashkë me personazhet dhe mënyrat për t’i kuruar ose për t’i parandaluar problemet e shëndetit mendor, janë shembuj tipik të vazhdimësisë së kësaj forme.

Nga ana tjetër, kur proceset kulturore nxisin stigmën, përjashtimin ose margjinalizimin e një personi, të grupit të cilit i përket, ose me të cilin duhet të identifikohet, për nga natyra shoqërore, ai duhet të kërkojë një mundësi përkatësie, duke e kthyer atë në një “pre” të lehtë për të fituar ndjenja të pamjaftueshmërisë ose mospërshtatjes, që portretizon një mënyrë jetese që kufizon aspektin e mirëqenies psikologjike, që është në kundërshtim me qëllimin e zhvillimit të psikoterapive.

Objektivi i psikoterapive është promovimi i një ndryshimi adaptiv në përvojën dhe sjelljen e personit, që do të thotë se objektivi është i ngulitur në një kontekst social dhe kulturor që inkurajon ose “sanksionon” një nocion të veçantë të personalitetit. Nëse çdo sistem psikoterapie varet nga modelet e personalitetit implicit, të cilat ndryshojnë mes kulturave, atëherë objektivat dhe metodat terapeutike ndryshojnë pasi sfondi kulturor i klientit duhet të merret parasysh.

Rrjedhimisht,  për të ofruar terapi cilësore është e rëndësishme të njohësh kulturën në të cilën vepron individi dhe me të cilën identifikohet. Në rastin e emigrantëve, kur përshtaten me kontekstet multikulturore të vendeve të zhvendosjes, ata përballen me kërkesa të ndryshme për akulturim, të cilat gjithashtu mund të ndikojnë në shëndetin e tyre mendor në mënyra  të ndryshme. Një nga këto detyra akulturimi përfshin zhvillimin e kompetencës së nevojshme për t’u përfshirë brenda domeneve të trashëgimisë kulturore, që mund të jetë relativisht e vështirë.

Nga këndvështrimi i shëndetit mendor publik, është e rëndësishme të kemi një kuptim të plotë të rrezikut dhe faktorëve mbrojtës që lidhen me asimilimin në një kulture të re.  Formulimet teorike dhe gjetjet empirike kanë raportuar se premisa e rëndësisë që ia atribuojmë vetes dhe aftësia për të ushtruar kontroll mbi gjërat që vlerësojmë janë kritike për depresionin. Faktorë të tillë si mosha, faza e zhvillimit, kërkesat kontekstuale, përqindja e popullsisë me origjinë jo-imigruese ndaj emigrantëve në komunitet, mund të ndikojnë në perceptimin e individëve për rëndësinë dhe vlerën e kompetencave specifike.

Si përfundim, është e nevojshme të vazhdohen përpjekjet për evidentimin e qasjeve të ndryshme kulturore në praktikat për promovimin e shëndetit mendor dhe trajtimin e çrregullimeve të tij. Ne e dimë se mënyra se si secili percepton shëndetin dhe çregullimet është e lidhur me praktika të tilla si reagimet e tij ndaj një diagnoze potenciale, sjelljen e tij për të kërkuar ndihmë dhe cilësinë e marrëdhënies së tij me profesionistin e shëndetit mendor. Të gjitha këto arsye potencojnë rëndësinë e nismave që synojnë angazhimin aktiv të anëtarëve të komunitetit në përmirësimin e shërbimeve të ofruara, dhe në këtë mënyrë inkurajimin e rritjes së bashkëpunimit midis individëve dhe familjeve të tyre. Zgjerimi i fushës së përfaqësimeve kulturore që mund të formësojë ofrimin e kujdesit për shëndetin mendor mund të bëhet më pas një formë fuqizimi për ata që kanë nevojë për ndihmë profesionale. Mbi të gjitha, pasi të kuptojmë dhe vlerësojmë prapavijën kulturore të njerëzve të tjerë, atëherë mund të lidhemi edhe më shumë me ta.

Add a Comment

Your email address will not be published.