• contactqips@gmail.com

Linja e Jetës” është qendra e parë telefonike për parandalim të vetëvrasjeve në Kosovë e cila, që nga themelimi i saj në nëntor të vitit 2019, ka ofruar shërbim emergjent pa pagesë për secilin telefonues në nevojë. Ne funksionojmë çdo ditë nga ora 14:00 e mëngjesit deri në orën 02:00 pas mesnate. Gjatë këtij orari, thirrjet pranohen dhe menaxhohen nga vullnetarët tanë të cilët janë të trajnuar specifikisht për punën në linjë.

Përveç vullnetarëve, gjatë këtyre orëve të operimit ne kemi aktiv edhe mbikëqyrësit. Përgjegjësia kryesore e mbikëqyrësve është ofrimi i mbështetjes dhe këshillave gjatë dhe pas thirrjes për vullentarët të cilët janë duke realizuar thirrje me një nga telefonuesit.

Gjatë thirrjeve, vullnetarët fokusohen në de-eskalim dhe në ofrim të mbështetjes emocionale në mënyrë që të mund t’i ofrojnë secilit telefonues një ndihmë afatshkurt, ndihmë kjo e cila do t’ua mundësonte atyre që të mund ta vlerësojnë situatën në të cilën gjenden në një mënyrë racionale. Përveç kësaj, në përfundim të thirrjes, vullnetarët referojnë thirrësit te psikoterapeutë dhe psikiatër të besueshëm në mënyrë që ata të marrin ndihmë afatgjatë.

Deri më sot, ne kemi pranuar mbi 8000 thirrje nga persona me mendime për vetëvrasje, ku fatmirësisht, asnjë nga thirrjet nuk ka përfunduar me vetëvrasje. Shumë shpejt ne shpresojmë që të fillojmë të operojmë 24/7 dhe të jemi këtu për ta pranuar çdo thirrje e për t’i dëgjuar brengat e secilit person me mendime për vetëvrasje.